
Julia Navalni nuk është vetëm gruaja e rivalit numër një të Putinit, Alekesi Navalni. Kohët e fundit, ajo është bërë një pikë referimi për opozitën ruse dhe tashmë ka nga ata që mendojnë se në të ardhmen mund t’i zërë vendin të shoqit, i cili rrezikon të mbetet në burg për një kohë të gjatë.
“Ajo ka karizëm dhe sharm, është një person krijues dhe i guximshëm dhe lehtësisht mund ta zëvendësojë burrin e saj nëse është e nevojshme", shpjegoi për AFP eksperti rus i politikës, Konstantin Kalachev, dy javë më parë.
Për momentin nuk ka shenja që Yulia dëshiron të ndjekë gjurmët e Svetlana Tikhanovskaya, e cila verën e kaluar sfidoi regjimin Bjellorus dhe kandidoi për zgjedhjet presidenciale në vend të burrit të saj të burgosur, por sigurisht që edhe Kremlini ka filluar t’ia ketë frikën Julia Navalnit dhe ta mbajë nën mbikëqyrje.
Policia ruse e arrestoi atë njëherë gjatë protestave të 23 janarit dhe kjo gjë u përsërit dje, kur disa oficerë e ndaluan në përpjekjen për të shkuar së bashku me një grup protestuesish drejt burgut ku mbahet i shoqi.
Duke fshehur emocionet pas një palë syzesh të errëta, ajo informoi gazetarët për kushtet shëndetësore të të shoqit; vuri në dyshim konkluzionet e mjekëve të Omskut të cilët, mbase nën presionin e autoriteteve, e përjashtuan mundësinë e helmimit të Navalny-t. Ajo i shkroi Putinit duke i kërkuar, dhe përfundimisht duke marrë miratimin për transferimin e të shoqit në një spital në Berlin.



