Siguria e qytetarëve dhe e miliona turistëve që zgjedhin Shqipërinë mbetet prioritet gjatë sezonit turistik veror. Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare do të jenë në terren me kapacitete të shtuara, teknologji moderne dhe gatishmëri të plotë për të garantuar rendin, sigurinë dhe një shërbim dinjitoz në të gjithë vendin.
Nga Durrësi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se sezoni turistik 2026 po konfirmon se Shqipëria është tashmë një destinacion që frekuentohet gjatë gjithë vitit, çka sipas tij kërkon një angazhim edhe më të madh nga strukturat e rendit.
Duhet të shohim jo vetëm arritjet, por edhe sfidat që na presin gjatë sezonit turistik veror. Viti 2026 po dëshmon se Shqipëria është një destinacion turistik gjatë gjithë vitit dhe kjo përkthehet në përgjegjësi edhe më të madhe për të garantuar një sezon të sigurt. Ky fluks vizitorësh nuk është ngarkesë pune për Policinë e Shtetit, por është testi i profesionalizmit tonë për të përmbushur me efikasitet të gjitha detyrimet. Policia Kufitare dhe Policia Rrugore janë kontakti i parë që krijon një turist me vendin tonë, ndaj sjellja profesionale dhe shërbimi cilësor janë po aq të rëndësishme sa garantimi i rendit dhe sigurisë.
Kryepolici theksoi se këtë sezon do të vijojë të zbatohet modeli i patrullimit me biçikleta në zonat turistike, një praktikë që sipas tij ka dhënë rezultate pozitive në komunikimin me qytetarët dhe pushuesit.
Ne po aplikojmë me sukses praninë e efektivëve me biçikleta në pedonale dhe përgjatë vijës bregdetare. Kjo rrit efikasitetin e shërbimit, por njëkohësisht krijon edhe komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe turistët. Synimi ynë është që policia të jetë sa më pranë tyre, jo vetëm për të reaguar ndaj problematikave, por edhe për të ofruar asistencë dhe informacion sa herë që është e nevojshme.
Vëmendje e veçantë, sipas Hitës, do t'i kushtohet sigurisë detare. Njësia Policore Detare do të jetë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë sezonit, ndërsa për herë të parë patrullimet do të mbështeten edhe nga monitorimi ajror me dronë.
Njësia Policore Detare është në gatishmëri 24 orë në 24 dhe patrullimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare. Këtë sezon shërbimet tona do të mbështeten edhe nga ajri përmes përdorimit të dronëve. Nuk do të tolerohet asnjë shkelje me mjetet lundruese që rrezikon jetën e pushuesve. Strukturat tona do të kryejnë verifikimet dhe regjistrimet e mjeteve lundruese të huaja përmes sistemit TIMS, duke lehtësuar procedurat dhe shmangur nevojën për regjistrime të përsëritura.
Një tjetër prioritet i Policisë së Shtetit gjatë muajve të verës do të jetë lufta kundër krimeve mjedisore, me fokus të veçantë ndotjen akustike.
Parandalimi dhe goditja e krimeve mjedisore, sidomos ndotja akustike pas orareve të lejuara, mbetet një nga sfidat tona. Qetësia e pushuesve dhe e banorëve duhet të respektohet. Shqipëria është tashmë pothuajse gjatë gjithë vitit në sezon turistik dhe për këtë arsye Forca Kombëtare e Sigurisë zë një vend të rëndësishëm në garantimin e sigurisë së turistëve dhe qytetarëve.



