Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti komentoi në emisionin “MCN Economy” raportin e KLSH-së për menaxhimin e pandemisë në Shqipëri.
Alimehmeti thekson se Shqipëria nuk pati strategji në menaxhimin e pandemisë dhe spitalet rajonale u lanë jashtë.
Alimehmeti vë në dukje se ka pak investim për ngritjen profesionale të “bluzave të bardha”, ku mjekët dhe infermierët janë në një largim masiv.
“Çdo institucion shëndetësor ka si objektiv kryesor mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit. Si e arrin këtë? Me të gjitha metodat e mundshme. Duhet të bësh edhe një ‘post-action’, për të parë çfarë funksionoi dhe nuk funksionoi. Nuk e bënë as këtë institucionet shëndetësore, e bëri KLSH. E vërteta është që te pandemitë roli është qendror, por duhet të marrim parasysh që kishim shumë gjëra që s’na bënin sens në masat dhe paratë e shpenzuara. Ju kujtoj sa disproporcionale ka qenë përgjigjja që kemi patur. Kur shkon drejt një mbyllje shoqërie për shkaqe pandemike, je si një anije mes lumit. Nga njëra anë ke riskun të kesh humbje të mëdha jetë dhe nga ana tjetër ke riskun ekonomik. Ne shkuam bam-bam-bam. Nuk shkuam asnjëherë në një rrugë. E thotë qartë edhe raporti që s’kishte strategji. Ne bëmë copy-paste. Çfarë po bën dikush, ta bëjmë edhe ne! Qendrat spitalore rajonale u lanë jashtë. Ne duhet që spitalet rajonale të merreshin vetëm me këtë punë dhe QSUT të ishte me problemet e tjera, se ku do shkonte infarkti, dializa. Spitalet rajonale janë lënë shumë mbrapa. Ka shumë pak investim për ngritjen profesionale të kolegëve tanë. Mjekët, infermierët, ne i kemi në largim masiv, popullin shqiptar e kemi në largim masiv. Investimet në mjekësi janë afatgjata, dëmi është afatgjatë. Të prodhosh një mjek duhen mininalisht 10 vjet. Një arsyetim është patjetër paga, më e ulëta në Europë, së dyti është mungesa e kapaciteteve dhe rritjes profesionale. Sa trajnime ka nga Ministria e Shëndetësisë apo e Arsimit në fushat mjekësore?! Sa para janë hedhur? Asgjë, zero. Nuk ka mjekime për sëmundjet tumoriale, dhe të gjithë vijnë në Tiranë nga rrethet. Shëndetësia dhe mjekësia kanë nevojë për investime serioze dhe të mëdha, që fatkeqësisht kanë shkuar për koncesione, nuk kanë shkuar në paga dhe krijimin e modeleve pozitive”.



