Republika Çeke të enjten shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të situatës së shkaktuar nga koronavirusi në vend.
Qeveria vendosi të mbyllë pjesërisht kufijtë për të parandaluar hyrjen e njerëzve nga vendet e rrezikuara.
Lista përfshin Italinë, Suedinë, Norvegjinë, Francën, Holandën, Belgjikën, Spanjën dhe Danimarkën, gjithashtu masat do vazhdojnë edhe me Britaninë e Madhe, Zvicrën, Kinën, Korenë dhe Iranin.
Automjetet e transportit publik ndërkombëtar me më shumë se nëntë vende, do të ndalohen të kalojnë kufijtë e vendit.
Qeveria ka ndaluar edhe transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, ndërsa është lejuar vetëm transporti i mallrave.
Gjatë një konference për shtyp, kryeministri çek Andrej Babis tha se qeveria do të ndalojë edhe aktivitetet publike, si dhe do të imponojë mbylljen e qendrave sportive, shërbimet SPA dhe galeritë e artit.
Restorantet duhet të mbyllen në orën 20:00, ndërsa frekuentimet në qendrat tregtare do të ndalohen plotësisht.
“Është e qartë se këto masa do të ndikojnë në ekonominë e vendit, por duhet të bëjmë gjithçka që virusi të mos përhapet”, tha Babis.
Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë për 30 ditë.
Deri më tani janë 91 raste të konfirmuara me koronavirus në Republikën Çeke./Reuters/



