Dalin detaje të reja në lidhje me vajzën 15-vjeçare që humbi jetën gjatë një operacioni në një spital privat paraditen e sotme në Tiranë.
Blerta Pepa i është nënshtruar operacionit për shkak të dëmtimit të një ligament gjatë orës së fiskulturës.
Për shkak të dhimbjeve të forta, prindërit janë detyruar ta çojnë në spital me urgjencë. Sipas familjarëve, mjekët u kanë dhënë garanci se gjithçka do të shkonte mirë, pasi ndërhyrja nuk kosniderohej e rrezikshme. Por, pas operacionit, gjendja e vajzës është përkeqësuar menjëherë.
15-vjeçarja ishte nxënëse në gjimnazin "Çajupi".
Blerta Pepa nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar. Në vitin 2014, ajo ishte një prej konkurenteve të spektaklit muzikor për fëmijë “Gjeniu i Vogël”. Ndonëse vetëm 12 vjeçe, me zërin dhe interpretimin e këngëve të vështira, ajo tërhoqi vëmendjen e jurisë dhe publikut që mbështeti pasionin dhe talentin e saj, pasion që fatkeqësisht nuk mundi ta vazhdojë.



