
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë të mira. Megjithatë ai u shpreh ndër të tjera se “si aleatë nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdo herë”. Deklaratat e Kurtit vijnë pas qëndrimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, i cili u shpreh se zhvillimet e fundit rreth dinarit kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit mes dy vendeve.
“Unë nuk e kam mbajtur qëndrimin e asnjë shteti tjetër, por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur për raportet tona. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i mirë, ne jemi partnerë, aleatë, miq, por kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka, mirëpo në këtë aspekt kemi një Rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale”, ka thënë Kurti.
“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe i përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel, e raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet që ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, marrëdhëniet do normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurtin dhe marsin e vitit 2023, e mund të bëhet në shkurtin e marsin e vitit 2024, pse jo”, është shprehur Kurti.



