Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar për zgjedhjet lokale të 17 tetorit duke e hedhur votën në njërën nga qendrat e votimit në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë.
Pas votimit, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë, duke theksuar se sot qytetarët “do të vendosin se kush do të vendosë”.
“Si qytetar i Republikës, posa ushtrova të drejtën për të votuar. Qytetarët anë e mbanë komunave të shtetit tonë sot vendosin se kush do të vendosë, pra, përcaktohen se kush do të jenë udhëheqjet dhe përfaqësuesit. I inkurajoj të gjithë të ta shfrytëzojnë këtë moment barazie që t’i përdorin mundësitë e barabarta. Si kryeministër unë bashkë me qeverinë tonë do të punoj e bashkëpunoj ngushtë në fuqizimin e komunave”.
Ai po ashtu, ka theksuar se katër vite “të mbara e të mira i presin qytetarët e Kosovës anë e kënd Kosovës në të gjitha komunat ku ata jetojnë, banojnë e punojnë”.
Në Kosovë të drejtë vote kanë 1 milion e 885 mijë e 448 persona ndërsa për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 41 mijë persona.



