Joe Biden është presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, pas fitores së votave elektorale të Pensilvanisë. Biden bëhet kështu presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, duke mundur Trump në përpjekjen për një mandat të dytë.
Edhe pse nuk ka përfunduar numërimi në disa shtete si Xhorxhia, Nevada, Karolina e Veriut dhe Alaska, projeksionet e mediave flasin për 284 vota elektorale në favor të Biden dhe vetëm 214 për Trump.

Biden: Tani të bashkohemi si komb
Presidenti i zgjedhur me anë të një deklarate është shprehur i nderuar nga besimi që populli amerikan i ka dhënë atij dhe zv.presidentes së zgjedhur Kamala Harris.
"Me përfundimin e fushatës, është koha të lëmë pas zemërimin dhe retorikën e ashpër dhe të bashkohemi si komb", thuhet në deklaratë.

Clinton: Një faqe e re për Amerikën
Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e përshëndeti fitoren e Biden me një postim në Tuiter.
"Votuesit kanë folur dhe ata kanë zgjedhur @JoeBiden dhe @KamalaHarris të jenë presidenti dhe zv.presidentja jonë e ardhshme", shkroi Clinton në Tuiter. "Është një kthesë historike, një refuzim i Trump dhe një faqe e re për Amerikën. Faleminderit të gjithëve që ndihmuan për ta realizuar këtë. Përpara, së bashku".

Trump: Nisim betejën ligjore të hënën
Disa momente pasi rrjetet mediatike, përfshirë CNN, shpallën fitoren e Joe Biden, Presidenti Trump tha në një deklaratë se rivali i tij "po nxiton të paraqitet në mënyrë të gabuar si fitues", dhe tha se gara është “shumë larg nga finishi”.
Sipas stafit të Trump, beteja ligjore do të fillojë të hënën:
"Duke filluar nga e hëna, fushata jonë do të fillojë ndjekjen penale të çështjes sonë në gjykatë për të siguruar që ligjet zgjedhore të përkrahen plotësisht dhe të shpallet fituesi i ligjshëm".
"Unë nuk do të ndalem derisa populli amerikan të ketë numërimin e ndershëm të votave që meriton dhe që demokracia kërkon", thotë Trump në deklaratë.
Trump aktualisht është në klubin e tij të golfit në Virxhinia.



