Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, thotë se PD-ja është e gatshme për dialog, por ngul këmbë në dorëheqjen e kryeministrit Rama pas tryezës së bisedimeve. Në fjalën e tij në çadrën e protestës, Basha tha se në dialog me PD-në, Rama mund të hyjë si kryeministër, ndërsa në çadrën ku ata protestojnë duhet të shkojë i dorëhequr.
“Nuk ka nevojë për vendin dhe orën, siç takohen të dashurit, por ka nevojë për një program serioz për të zgjidhur krizën. Shprehu dëshirën për të ardhur në çadër. Me zemërgjerësinë që na karakterizon, iu kërkova demokratëve ta mirëpresin me dorëheqje në dorë. Meqë dëshirën për në çadër e ke shprehur shumë herë, sepse kjo çadër të bën xheloz, sepse është tempulli i lirisë dhe i demokracisë, eja me dorëheqje në xhep dhe do të presim paqësisht. Mund të vijë si kryeministër në dialog, por në çadër duhet të vijë me dorëheqje. Në dialog mund të hyjë si kryeministër, por do të dalë prej tij i dorëhequr për t’i hapur rrugë qeverisë teknike”, tha Basha.



