Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar qeverinë për mungesën e një date për hapjen e negociatave me BE-në. Në fjalën e tij në Parlament, Berisha tha sot se shkak është bërë prishja e konsensusit për reformën në drejtësi.
“Maxhoranca e qelbësirave. Nuk iu kam thënë unë, ia keni thënë vetes vetë. U ra dakord që 7 ligjet të votoheshin me konsensus. Por në mënyrë të pabesë e votuat vetingun. Kur ka ardhur puna për të fajësuar opozitën, nuk keni hezituar. Ju keni pranuar se ka marrëveshje. Ka patur një marrëveshje dhe nëse do të ishte zbatuar, vetingu do të kishte nisur nga zbatimi”, tha ai.
Berisha tha se Rama dhe qeveria e tij po përpiqen të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë.
“A i keni dëgjuar ju që këta një e dy vetëm kërcënojnë gjykatësit me vetingun. E shihni se këta duan të shtrijnë te këmbët e tyre sistemin e drejtësisë”, tha ai.
Berisha tha se një tjetër arsye pse nuk u caktua një datë për hapjen e negociatave është kriminalizimi i politikës.
“Europianët e pyetën a ka në partinë e tij të krininalizuar. Tha nuk kam asnjë. E kanë parë me një përçmim të madh. Një gënjeshtar dy metra i gjatë. Tha që në grupin tim nuk kam asnjë të kriminalizuar. Një nga shkaqet më madhore të kësaj që ndodhi janë raportet e ministrive të Brendshme. Për të shpëtuar Saje Qorrin nuk na duhet t’i përmendim. Raporte të tilla u kanë thënë Ministrive të Jashtme numrin e azilkërkuesve, krimin famoz dhe kanabizimin e Shqipërisë. Këto janë të pakapërcyeshme dhe arsyeja pse nuk morët datë siç kërkuat. Përkundrazi, unë po e them këtu me keqardhje: me Edi Ramën nuk ka negociata. Mesazhi më i kristaltë është: votoni ose për Ramën ose për Europën më 18 qershor”, tha ai.



