Në një lidhje me Skype, gazetari i “Alb Uk” në Londër, Martin Kiri, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se me largimin e Braverman-it nga qeveria britanike, nuk do të ndryshojë qasja ndaj emigrantëve, por së paku do të ndryshojë gjuha e ministrit të ri. Kiri thotë se Sunak ka qenë në presion të vazhdueshëm për largimin e znj.Braverman, e cila ishte një figurë kontraverse dhe përçarëse në politikën britanike. Sipas gazetarit shqiptar afrimi i Cameron-it në qeveri ishte një lëvizje e zgjuar e Sunak.
Nuk janë vetëm deklaratat e fundit të znj.Braverman që kanë qenë kontradiktore, ajo ka qenë gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë karrierës, sidomos kur mbuloi postin e ministres së Brendshme ka qenë një figurë shumë kontraverse dhe përçarëse në politikën britanike. Nga fillimet e saj prononcohej se ishte ëndërr e saj të dërgonte refugjatët në Ruanda, deri ditën e shtunë kur doli kundër policisë metropolitane të Londrës që i quajti se ishin në favor të atyre që protestonin me pikëpamje të majta, duke i quajtur ata që marshonin pro Palestinës si marshues të urrejtjes, dhe për të pastrehët thoshte që ky ishte një stil jetese i tyre dhe Sunak tha se kjo ishte pika kulminante ku ai filluar ta shikojë pozicionin e ministres së tij të Brendshme. Sunak ka pasur një presion në rritje ditët e fundit për ta larguar nga kabineti Braverman-in. Nuk do ndryshojë gjë sa i përket politikës së qeverisë britanike për emigrantët, për refugjatët, zëvendësimi i Braverman me Cleverly. Ai tha se do të bëj çmos të ndalojë kalimin e paligjshëm të refugjatëve në kanalin anglez. Politika do të vazhdojë. Ajo që s’do të vazhdojë fatmirësisht është gjuha që ka përdorur Braverman. Sunak ka pasur presion nga kryetari i partisë laburiste, edhe kryebashkiaku i Londrës, që i kanë bërë thirrje ta largojë Braverman-in. Ka qenë reagim i vazhdueshëm i opozitës, që e ka cilësuar si jo të drejtë reagimin e Braverman-it. Besoj që një lëvizje shumë e zgjuar ka qenë sjellja e ish-kryeministrit Cameron, jo vetëm për intelektin por edhe për përvojën kur ka qenë kryeministër. Kush më mirë se ai mund ta bënte ministrin e Jashtëm në këtë periudhë?! Sunak ka nevojë për një mbështetje më të fortë nga elektorati i konservatorëve, që është 20 pikë larg laburistëve dhe i duhet një shtytje më e mirë. Ka edhe zëra kontestues brenda konservatorëve për ardhjen e Cameron. Një tjetër kundërshtare ka qenë Partia Nacionaliste Skoceze, që e quan Cameron-in si arkitektin e Brexit, pasi lejoi referendumin. Ai e nxori aksidentalisht Mbretërinë e Bashkuar nga Europa, pasi s’ishte qëllimi i tij ky.



