
Në “MCN Informacion” sot u diskutua mbi startup-et në fushën e teknologjisë dhe mënyrën se si zhvillohen ato në Shqipëri, si edhe mbi gatishmërinë e bizneseve për të investuar.
Ekspertët e teknologjisë, inxhinieri i software-it Mateo Doda dhe inxhinierja elektronike Kejsi Voskopi, shpjeguan për shikuesit hapat që duhen ndjekur për të nisur një ide të suksesshme dhe për ta kthyer atë në një startup funksional.
Doda, vuri theksin te fakti se bizneset shpesh mbeten në nivel ideje për shkak të kostove të larta të implementimit.
Jo vetëm në fushën e teknologjisë, por në të gjitha industritë, është ekzekutimi ai që bën diferencën.
Ideja është vetëm fillimi i një suksesi potencial për një startup.
Nëse ideja ka potencial, atëherë zbatimi është faza përfundimtare që i jep jetë asaj.
Në të kundërt, ideja mbetet në sirtar pa u realizuar.
Shumë njerëz ngecin te ideja për shkak të faktorëve si mungesa e burimeve njerëzore, kostot e larta të implementimit dhe mungesa e profesionalizmit.
Edhe bizneset që duken të thjeshta në pamje të parë, në fakt përbëhen nga shumë komponentë që kërkojnë investim dhe organizim për të funksionuar.
Në përgjithësi, barrierat kryesore janë kostot, burimet njerëzore dhe niveli i ekspertizës për ta realizuar një projekt.
Për Voskopin, ideja është pikënisja, por nuk mjafton pa një plan të qartë.
Ideja është fillimi i çdo gjëje, por nuk duhet të mbetemi vetëm aty.
Arsyeja pse shumë njerëz ndalen te ideja lidhet edhe me aspektin emocional dhe pasigurinë nëse duhet ta ndërmarrin hapin tjetër.
Është e rëndësishme të ulesh dhe ta konkretizosh idenë, ta hedhësh në letër dhe ta strukturosh saktë.
Kjo e bën më të lehtë fazën e zbatimit dhe kalimin në hapin tjetër, që është më i rëndësishmi.
Gjithashtu, është thelbësore që çdo gjë të planifikohet me efikasitet, duke optimizuar kostot dhe duke përzgjedhur njerëzit e duhur. S
ot tregu është shumë konkurrues dhe për të depërtuar me një produkt të ri, duhet të kuptosh nevojat e konsumatorit dhe t’ia bësh jetën sa më të thjeshtë.



