
Daniel Ellsberg, njeriu që zbuloi skandalin “Pentagon Papers”, është i sëmurë me kancer terminal. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ish-analisti ushtarak amerikan në profilin e tij në Facebook.
Ellsberg, 91 vjeç, u diagnostikua me kancer të paoperueshëm në pankreas. Ai ka zgjedhur të mos i nënshtrohet kimioterapisë dhe sipas mjekëve i kanë mbetur tre deri në gjashtë muaj jetë.
Pentagon Papers janë dokumente top-sekret prej 7000 faqesh nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes që paraqesin një studim të thelluar të strategjive dhe marrëdhënieve të qeverisë federale me Vietnamin në periudhën nga 1945 deri në 1967. Ato u mblodhën në vitin 1967, me urdhër të sekretarit të atëhershëm të mbrojtjes Robert McNamara. Gazetat zbuluan se qeveria amerikane kishte zgjeruar rolin e saj në konflikt me bombardime dhe sulme ajrore në Laos, Kamboxhia dhe Vietnamin e Veriut dhe kishte ndërmarrë veprime luftarake përpara se amerikanët të njoftoheshin.
Nga tetori i vitit 1969, Ellsberg dhe studiuesi Anthony Russo filluan të kopjojnë dokumentet me synimin për t'i shpërndarë ato për të zbuluar gënjeshtrat dhe vrasjet masive të kryera në Luftën e Vietnamit në 23 vitet e mbuluara nga studimi. Në shkurt 1971, Ellsberg ia dha letrat Neil Sheehan të The New York Times, e cila filloi t’i botonte më 13 qershor të atij viti. Disa ditë më vonë dokumentet filluan të publikoheshin edhe nga Washington Post. Në vitin 1973 Ellsberg u akuzua për spiunazh nga administrata e Nixon, megjithatë akuzat u hodhën poshtë nga një gjykatës në të njëjtin vit. E gjithë historia e publikimit të dokumenteve u bë edhe film, 'The Post' (2017), me regji të Steven Spielberg me Meryl Streep dhe Tom Hanks.



