
Turqia ka rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm që do t’u lejojë trupave të udhëhequra nga kurdët të tërhiqen nga Siria veriore. Turqia do të ndalojë ofensivën e tij në zonë, e cila do të mbikëqyret nga SHBA-të, për 120 orë, në mënyrë që të lejojë tërheqjen.
Zv.presidenti amerikan, Mike Pence, tha se lka marrë garanci edhe pala kurde do të tërhiqet në mënyrë të rregullt, ndërsa Turqia do të pajtohet për një armëpushim të përhershëm pasi kjo të përfundojë.
Presidenti Donald Trump e vlerësoi këtë marrëveshje duke thënë se kjo do të shpëtojë "miliona jetë".
Kjo lëvizje vjen pasi Pence udhëtoi drejt Ankarasë këtë javë për disa orë bisedime me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, për operacionin ushtarak.
SHBA-të më parë kanë vendosur sanksione ndaj Turqisë për ndërhyrjen ushtarake, çka është pritur me një përgjigje të indinjuar nga ana e Erdoganit, i cili tha se një tërheqje kurde do të ishte mënyra e vetme për t’i dhënë fund konfliktit.
Pence tha të enjten në mbrëmje se SHBA nuk do të vendosë sanksione të mëtejshme nga momenti që armëpushimi nis zbatimin.
Në një fjalim nga Teksasi, Trump tha se bisedimet u pasuan me "një rezultat të mahnitshëm" dhe ia atribuoi këtë hap “dashurisë të fortë për t’u dhënë gjërave zgjidhje”.
Ai është shprehur gjithashtu se do t’i heqë sanksionet "shumë shpejt", dhe e vlerësoi homologun e tij turk si një "njeri të ashpër" që "bëri gjënë e duhur".



