Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami doli sot në një konferencën për mediat nga selia blu, pak orë para mbylljes së qendrave të votimit, ku ka denoncuar problematikat gjatë votimit.
"Këto zgjedhje pavarësisht se janë një hap në drejtimin e duhur kanë qenë dhe kanë filluar të pabarabarta. Fatkeqësisht kjo pabarazi është reflektuar nga disa probleme që kanë dalë, që unë falenderoj edhe median që i ka publikuar. Probleme që kanë të bëjnë me si me ndërhyrjen e disa kryetarëve të degëve, jo të gjithë, por disa prej tyre kanë ndërhyrë duke prishur atë neutralitetin, kanë bërë presione dhe i kanë kërkuar anëtarëve që të votojnë për Bashën. Kjo është një shkelje e rregullave të lojës. Po kështu në mjaft nga këto qendra votimi fotografia e zotit Basha është e varur në qendrën e votimit. Këto kërkesa unë ja kam kaluar përfaqësuesit tim dhe në emrin tim i ka bërë në KQZ, KQZ ka shprehur mirëkuptimin për këto gjera, por këto nuk janë zgjidhur akoma. Edhe këtu në qendrën tonë vazhdon kryetari i degës 2 që është miku im, por miqësia mënjanë. Ose nuk i njeh rregulla e demokracisë ose nuk di se çfarë është. Po kështu ka pasur raste të mungesës së emrit në listë, seksione të tëra që nuk kanë qenë të regjistruar dhe kanë shprehur votën për mua. Megjithëse ky proces është i paplotë, është një process në vazhdim dhe nuk dua të paragjykoj. Është shpejt për të nxjerrë një rezultat. Ka momente të rëndësishme sic është mbyllja e procesit të votimit, transportimi i kutive të votimi në qendër. Unë e kam shprehur që në këto kushte ku jemi do të ishte më mirë që numërimi të bëhej në degët e rretheve dhe pastaj procesi i numërimit", deklaroi Selami.
Gjatë fjalës së tij kandidati për kryetar të PD-së deklaroi se falenderoj të gjithë ata demokratë që kanë shprehur vullnetin e tyre me votën e fshehtë, falenderim për të gjithë ata komisionerë dhe ata që kanë marrë pjesë në organizmin e këtyre zgjedhjeve dhe një falenderim të vecantë për përfaqësuesit e mij, nuk është kollaj të jesh përfaqësuesi i Eduart Selamit në këto zgjedhje.



