Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se shkollat në Shqipëri vuajnë nga dhuna, bullizmi dhe konfliktualiteti. Ajo theksoi 70 për qind e shkollave nuk kanë oficerë sigurie dhe shkollat nuk u garantojnë më prindërve sigurinë e fëmijëve.
“Prindërit kanë humbur sigurinë, kanë humbur garancinë, për jetën e fëmijëve të tyre. Ngjarja e Kamzës vjen pas dy ngjarjeve të tjera në Jug të vendit, ku një 16-vjecare tenton të vetëvritet nga bullizmi dhe një tjetër i jep fund jetës. Këto tre ngjarje janë më të hidhurat e fillimit shkollor. Po krijojmë një shoqëri që nesër do kenë humbur vlerat themelore, që kanë të bëjnë me respektin, dashurinë, tolerancën dhe mbështetjen për njëri-tjetrin. I shoh këto shtylla të rrëzuara. 70 për qind e shkollave tona s’kanë oficerë sigurie! Nëse kanë qenë, këto oficerë sigurie, psikologë, pse s’e kanë kryer detyrën?! Shkollat tona vuajnë nga dhuna, bullizmi dhe konfitualiteti. Institucionet arsimore duan ta interpretojnë si ngjarje sporadike. Ka rënë kokëposhtë gjithë piramida arsimore. E frikshme dhe tronditëse për gjithë shoqërinë është që, në shkolla ka thika, portat janë të hapura për përleshje dhe konflikte. Shkolla s’u garanton më prindërve sigurinë. Është primare, është bazike".
Duke folur mbi ngjarjen e ndodhur në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamëz, Sula tha:
“Shkolla ka mision kryesor ta parandalojë ngjarjen. Ka dështuar në këtë gjë. Kamerat e sigurisë nuk kanë funksionuar. Nëse nxënësi ka qenë problematik, ai duhet të ishte nën kontroll, në bashkëbisedim me psikologen, me oficerin e sigurisë, komunitetin e nxënësve”.



