Autoritetet rumune sekuestruan 3.95 milionë dollarë asete dhe para si pjesë e një hetimi penal për trafikimin e dyshuar të qenieve njerëzore që çoi në arrestimin ish-kampionit të kixbox-it Andrew Tate.
Mediat e huaja shkruajnë se një reporter i Reuters-it ishte dëshmitar i sekuestrimit. Ai pa disa makina, duke përfshirë një Rolls-Royce, një BMW dhe një Mercedes-Benz u morën nga prona e Tate në periferi të kryeqytetit, Bukuresht, për t'u çuar në një magazinë.
Andrew Tate, vëllai i tij dhe dy gra rumune u arrestuan më 29 dhjetor me akuzën e krijimit të një bande kriminale për të shfrytëzuar seksualisht gjashtë gra. Të gjithë e mohuan krimin për të cilin akuzohen dhe kundërshtuan urdhrin e arrestit parandalues 30-ditor, por gjykata e apelit në Bukuresht e hodhi poshtë kërkesën.
Një ish-konkurrent në reality show-n britanik Big Brother, shtetas amerikan dhe britanik, Tate ka bërë famë me komentet mizogjene dhe gjuhën e urrejtjes ndaj figurave të njohura, mes të cilave dhe Greta Thunberg.
Ai pretendoi se gratë janë pjesërisht përgjegjëse për përdhunimin dhe se ato i përkasin burrave. Ai u ndalua nga të gjitha platformat kryesore të mediave sociale për postimet e tij, por u kthye në Twitter. Llogaria e tij u riaktivizua nga Elon Musk kur ai bleu platformën.



