LSI është e bindur se ka të njëjtën mbështetje si PS-ja për zgjedhjet e 25 qershorit. Në një konferencë shtypi sot në drekë, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama, tha se forca e tij garon me PS-në për fitoren e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Fierit, ndërkohë ka avantazh në Berat e Gjirokastër.
“Unë jam i pesti në Tiranë dhe do të kisha të njëjtën garanci edhe nëse do të isha i dhjeti. LSI sidomos në Tiranë është e barabartë në garë me PS-në. Luftojmë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe jemi të parët në Berat e Gjirokastër. Sfida jonë është LSI forcë e parë për të ulur taksat dhe për të shtuar vendet e punës”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me hartimin e listave, në kohën kur pjesëmarrja e PD-së në zgjedhje nuk ishte vendosur ende, Luan Rama tha se ky fatk nuk ka qenë aspak përcaktues.
“Listat e LSI janë bërë duke pasur parasysh vetëm një prioritet: përfaqësim dinjitoz dhe me kurajë përballë qyetarëve me lista që ofrojnë modelin më të mirë të përfaqësimit, duke respektuar shansin e barazisë gjinore dhe të rinjve. Nuk ka pasur kushtëzim prej faktit nëse do të futej apo jo opozita në zgjedhje”, tha ai.
Sa i përket sondazhit të publikuar dje, që e rendit LSI-në forcë të tretë në rang vendi, Luan Rama tha se ai është i manipuluar.
“Sondazhe klienteliste dhe të manipuluara. Vlera reale e mbështetjes do të dukem më 26 qershor, kur të dalim forcë e parë dhe drejtim të qeverisë me LSI”, tha ai.



