
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thotë se është gati të lërë mandatin e tij si president, në rast se kjo i shërben zgjidhjes së krizës politike. Gjatë një aktiviteti në Pogradec, Meta tha se është gati të sakrifikohet si Salvador Aljende për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake.
“I kam dhënë argumentet për krizën. Kriza është e qëllimshme. Po cenohet rendi kushtetues. Veprimi i opozitës është i dënueshëm dhe i papranueshëm. Kuvendi ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 që nuk dogjen mandatet. Mund të thirren 1 milion shqiptarë mbi 18 vjeç për të miratuar reformat, por kjo nuk e zgjidh krizën. Kriza nuk zgjidhet as me retorikë, as me metoda policiore, por me dialog. Jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Aljende, për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake. Pasojat e krizës mund të jenë të rënda për Shqipërinë. Si president kam bërë çdo përpjekje për të parandaluar krizën”, tha Meta.
Aljende ka qenë president i Kilit nga viti 1970 deri në 1973. Ai ishte i pari marksist që u zgjodh president në një vend me demokraci liberale. Ai u zgjodh në këtë post nga Kongresi pas një gare të ngushtë me tre raunde që përfundoi në balotazh, pasi asnjë kandidat nuk arriti të fitonte fituar shumicën.
Më 11 shtator 1973, ushtria u angazhua për ta rrëzuar nga pushteti me një grusht shteti të mbështetur nga CIA amerikane. Ndërsa trupat rrethuan pallatin La Moneda, ai dha fjalimin e tij të fundit duke u zotuar të mos japë dorëheqjen. Po atë ditë, pak orë më vonë, Aljende u vetëvra. Në këtë përfundim arriti një hetimi i kryer nga një gjykatë kiliane me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë në vitin 2011.
Pas vdekjes së Aljendes, gjenerali Augusto Pinoçet refuzoi të kthejë autoritetin në një qeveri civile dhe Kili u qeveris më vonë nga një juntë ushtarake që ishte në pushtet deri në 1990. Junta ushtarake që mori pushtetin shpërndau Kongresin e Kilit, pezulloi Kushtetutën dhe nisi persekutimin e disidentëve.



