Shkencëtarët kinezë njoftuan dështimin e provës së pare klinike të kurës ndaj koronavirusit. Kura e ashtuquajtur Kaletra, një kombinim i dy ilaçeve të Lopinavir dhe Ritonavir, e cila përdorej për trajtimin e Hiv-it, ka dështuar.
Studiuesit, të cilët botuan studimin në "New England Journal of Medicine", sipas "New York Times", thanë se "nuk u vërejt asnjë përmirësim gjatë provës së trajtimit në 199 pacientë të rritur nga 48 deri në 68 vjeç. Prova klinike u krye në një spital në qytetin kinez Uhan, ku shpërtheu virusi në fund të dhjetorit.
Për 14 ditë, gjysma e pacientëve kinezë morën trajtimin standard për pneumoni, ndërsa gjysma tjetër u trajtua me Kaletra. Studiuesit konstatuan se Kaletra nuk e reduktoi kohëzgjatjen e sëmundjes apo parandaloi vdekjen në grupin e dytë të pacientëve. Aktualisht nuk ka asnjë vaksinë ose trajtim të provuar të barnave për koronavirusin e ri Covid-19.
Mjekët në mbarë botën po provojnë ilaçe të ndryshme, të cilat normalisht përdoren në sëmundje të tjera për të parë nëse ndonjë prej tyre mund ndihmojë të sëmurët në gjendje të rëndë.
Deri më tani asnjë ilaç nuk duket të ketë një efikasitet të qartë ndaj koronavirusit.
Ndër të tjera, po testohet një medikament relativisht i lirë i cili përdoret kundër malarjes. Raportet e deritanishme në pacientët në Kinë dhe në Francë tregojnë se medikamenti mund të ndihmojë, por ende nuk ka prova të mjaftueshme që mjekët të arrinë në një konkluzion të qartë.
Gjithashtu në disa spitale mjekët përdorin në mënyrë eksperimentale medikamentin antiviral Remdesivir si dhe Losartan . Mjekët shpresojnë se ky i fundit mund të parandalojë infeksoinet e lehta të shkaktuara nga Covid-19.



