Pas një maratone 10-vjeçare “për të shpëtuar” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gara e Julian Assange, aktivistit australian themelues i WikiLeaks duket se po i afrohet fundit.
Ditën e sotme Gjykata e Westminsterit në Londër lëshoi një urdhër zyrtar ekstradimi në SHBA, ku aktivisti do të përballet me dënimin për zbulimin e dokumenteve dhe videove konfidenciale që vërtetojnë krimet e luftës të kryera nga SHBA gjatë luftës në Irak dhe Afganistan.
Vendimi tashmë duket përfundimtar, ndërkohë që ekziston mundësia e një apelimi në Gjykatën e Lartë, mirëpo ekstradimi i tij pritet të bëhet brenda 28 ditëve.
Julian Assange, aktualisht 50 vjeç, u martua më 23 mars në burgun Belmarsh me avokaten afrikano-jugore Stella Morris, partneren që i dha dy fëmijë gjatë periudhës së azilit në ambasadën e Ekuadorit.
Në shkallë të parë, gjyqtarja angleze Valeria Baraister mohoi ekstradimin në bazë të një raporti psikiatrik që tregonte rrezikun e vetëvrasjes së të burgosurit në rast dorëzimi në SHBA.
Megjithatë, në dhjetor, Gjykata e Apelit e anuloi dënimin dhe autoritetet amerikane u zotuan të shmangnin burgimin dhe mundësinë që ai të vuante një pjesë të dënimit në Australi.
Në Shtetet e Bashkuara, Assange akuzohet se ka zbuluar përmes faqes së internetit WikiLeaks të themeluar në vitin 2007, qindra mijëra dokumente sekrete të Pentagonit në lidhje me krimet e luftës të kryera nga ushtria amerikane në Afganistan dhe Irak dhe me menaxhimin e burgut të Guantanamos.
Shumë nga dokumentet e publikuara nga WikiLeaks patën një jehonë ndërkombëtare dhe u analizuan nga gazetarë të The Guardian, New York Times dhe Der Spiegel të cilët konfirmuan vërtetësinë e tyre.
Nëse ai transferohet në SHBA, Assange do të duhet të përgjigjet për bashkëpunim në hakimin e arkivit të Pentagonit si dhe për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazhin duke publikuar dokumente konfidenciale në media.
Rasti i tij ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare prej vitesh dhe shumë OJQ si Amnesty International ose Reporters Sans Frontiers e kanë cilësuar si një formë persekutimi, hakmarrjeje politike dhe shkelje të lirisë së informacionit gazetaresk.



