Negociatat Kosovë-Serbi/ Milo: S’jam optimist për zgjidhje të shpejtë. Duhen lëshime nga të dy palët (VIDEO)

Negociatat Kosovë-Serbi/ Milo: S’jam optimist për zgjidhje të shpejtë. Duhen lëshime nga të dy palët (VIDEO)

Duke komentuar negociatat e “QUINT”-it lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe presionin për pranimin e draftit franko-gjerman, ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se nuk është optimist për një zgjidhje të thjeshtë.

Milo tha se kemi të bëjmë me një çështje delikate dhe komplekse, që nuk mund të zgjidhet vetëm nga Prishtina dhe Tirana.

Milo tha se Kurti nuk pranon një Asociacion monoetnik, pasi ekziston rreziku i krijimit të një shteti brenda shtetit, por shtoi se kompromisi kërkon sakrifica dhe s’mund të bëhet pa lëshime të ndërsjellta.

Nuk jam optimist se do ketë një zgjidhje të shpejtë. Besoj i këtij mendimi ishte edhe Lajçak, edhe reagimet ndërkombëtare. Është një çështje shumë delikate, dhe nuk është një çështje që varet vetëm nga shqiptarët e Kosovës dhe diplomacia e Shqipërisë. Është një çështje ku janë ngërthyer edhe SHBA dhe BE, dhe Prishtina dhe Tirana s’kanë fuqi ta zgjidhin këtë çështje vete. Duhet të ndërgjegjësohemi që jemi të pafuqishëm përballë një konflikti të tillë, ku janë përfshirë fuqitë ndërkombëtare. Serbia s’është me ajo e vitit 1999, e Millosheviçit. Serbia ka ndryshuar, por ka ndryshuar edhe gjeopolitika e Ballkanit. SHBA s’do ta lërë Serbinë në prehrin e Rusisë. Nuk mund ta atakojnë drejtpërdrejtë. Serbia është faktor rajonal, që u prish projektet gjeopolitike, nëse vihet në bankën e të akuzuarve. Nuk ka në diplomaci zgjidhje të njëanshme dhe të imponuara. Presioni është shtuar sepse po arrihet në një pikë, ku dy palët kanë harxhuar argumentat, nuk lëvizin nga pozicionet e ngurosura, sepse kanë të bëjnë edhe me interesat kombëtare. Çdo ndryshim i Kushtetutës ka një çmim të madh politik brenda vendit”.

Milo tha se drafti franko-gjerman do ta qetësonte rajonin dhe do kontribuonte në sigurinë e tij, ndërsa vuri në dukje se ai parashikon njohjen e sovranitetit të Kosovës. Milo theksoi se Asociacioni duhet të jetë administrativ dhe koordinues dhe jo të kenë të drejtë për vendosjen e vetove, pasi do të krijonin enklava në Kosovë.

Projekti franko-gjerman do të qetësonte rajonin, do kontribuonte në sigurimin e tij. Ka dy elementë qendrorë, e para që njeh sovranitetin e Kosovës dhe detyron Serbinë që mos bëhet pengesë në integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kosova do legjitimonte sovranitetin e vet, në planin ndërkombëtar. Varianti fillestar ka qenë që të shkohej në njohën e ndërsjelltë. Pakoja franko-gjermane e ka hequr këtë pikë. Pengesa tjetër vjen nga Kosova që z.Kurti nuk pranon një Asociacion monoetnik. Që do të thotë që rreziku ekziston që ajo mund të krijojë shtet brenda shteti. Gjërat janë delikate, por një kompromis kërkon sakrifica dhe s’mund të bëhet pa lëshime të ndërsjellta.

SHBA-të deklaruan që nuk pranojnë që në Kosovë të bëhet një Republikë Srpska. Dhe këtu është thembra e Akilit, po patën ata një vendimmarrje në Kosovë, nesër mund të thonë që në emër të vetëvendosjes do kërkojnë të shkëputen. Këtu ka rrezik dhe me të drejtë shqiptarët e Kosovës janë të shqetësuar. Por nëse arrihet në marrëveshje për një Asociacion administrativ, koordinues, të arsimit, financave, shëndetësisë, por jo të ketë të drejtën e Vetëvendosjes dhe vendosjes së vetos. Nëse ka të drejtën e vetos krijon enklava që bëjnë politika si duan vet, dhe në varësi të urdhrave të Beogradit. Kurti duhet kuptuar dhe jo vetëm Kurti, të gjitha qeveritë e mëparshme të Kosovës kanë rezistuar ndaj Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Gjithësesi klasa politike e Kosovës duhet të ndërgjegjësohen dhe të bëhen bashkë”.

Milo tha që shkalla e lëshimit mes Kurtit dhe Vuçiçit duhet të jetë e barabartë që asnjëri të mos dalë si përgjegjës përballë popullit të tij. Ish-ministri i Jashtëm tha se po përmendet një variant, që Asociacioni të ndërtohet për 4 nga 10 komunat, por shtoi se nëse do kenë kompetenca ekzekutive, kompromisi mbetet i rrezikshëm.

Mendoj që çështja e sanksioneve shkon shumë larg në rastin e Serbisë në rast se e refuzon. Lajëak ka dhënë të kuptohet që Kurti po reziston në qëndrimet e tij, por po bëhet pengesë në atë që kanë në mendje amerikanët dhe europianët për të realizuar. Kurti nuk ka pranuar ato që i thanë sot, prandaj reagoi ashtu Lajçak. Por jam i bindur që edhe Vuçiç ka përsëritur qëndrimin tradicional të Serbisë, që ne kemi hedhur poshtë propozimin franko-gjerman. Prandaj ka një qëndrim të unifikuar ndërkombëtar, që u kërkojnë të dy palëve lëshime. Shkalla e lëshimit të njërës palë duhet t’i korrespondojë shkallës së lëshimit të palës tjetër, që as Kurti as Vuçiçi të mos ndihen përgjegjës apo fajtorë. Ditët dhe javët e ardhshme do jenë interesante, sepse aktorët ndërkombëtarë kanë vendosur të shtojnë presionet. Ka një variant tjetër, që nëse ka 10 komuna që duhet të bashkohen te Asociacioni, ka një propozim që Asociacioni të ndërtohet vetëm për 4 komunat me shumicë serbe, dhe 6 komunat e tjera të mos kenë të drejtën e pushtetit ekzekutiv. Ky është kompromis, por prapë është i rrezikshëm”.

Sa i takon komenteve të Ramës në Davos lidhur me korrupsionin, Milo tha:

S’e kam ndjekur me vëmendje dhe s’e kam parasysh për cilin korrupsion dhe vend foli. Shqipëria është një vend me korrupsion, këtë e thotë gjithë bota, këtë e themi edhe ne. Nuk besoj që kryeministri ka mohuar që këtu të ketë korrupsion. Është e vërtetë që fenomeni s’është shqiptar, në gjithë botën ka korrupsion, por varet shkalla e korrupsionit cila është. Mendoj që reforma në drejtësi ka dhënë produktin e vet modest, jo atë që është pritur dhe tashmë nuk duhet të jetë më objekt i politikës sepse janë krijuar institucionet qendrore ligjzbatuese dhe përgjegjësia tani bie mbi këto institucione. Këta burra dhe gra s’i pengon askush të luftojnë kriminelët dhe krimin e organizuar”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy