Plani i Rimëkëmbjes Ekonomike i propozuar nga qeveria, që ka në themel krijimin e një fondi të ri garancie për ekonominë, për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, i ftuar në studion e lajmeve në TvT, nuk besohet se do të ndodhë, për vetë faktin se jemi përpara një fushate elektorale.
“Janë disa plane veprimi që qeveria po i bën, janë Tuneli i Llogarasë, rruga Milot-Fier, dhe ndërhyrjet që qeveria ka marrë në paketën fiskale të këtij viti, ku u hoqën tatim-fitimi për bizneset, dhe u rrit pragu i TVSH, deri në nivelin e xhiros 10 milion lekë në vit. Nuk besoj se do të ketë plan, sepse tashmë jemi duke u afruar në fushatën elektorale, do dëgjojmë deri atje sa do të çlirojmë shqiptarët nga kriza dhe plani i rimëkëmbjes dhe ka çdo gjë për të ndërhyrë në trajektoren e qeverisë”.
FMN-ja në vlerësimin e fundit foli për një tkurrje të pritshme 7.5 %, por nga ana tjetër kryeministri prezantoi shifra në rritje të bizneseve të reja. Lidhur me këtë, Tomorri tha se duhet parë tremujorin e tretë ose të katërt nëse do të kemi zbutje ose rënie ekonomike.
“Ajo që ne mund të themi është se deri tani e keqja ka ndodhur, koha apo goditja më e madhe për ekonominë ishte tremujori i parë, që ra me 3.2 për qind, më vonë filloi edhe normalizimi, pritet që në tremujorin e tretë ose të katërt, të kemi ose zbutje të rënies, unë mendoj se gjatë muajve ka patur një ringjallërim të lehtë të ekonomisë, dhe mund të ketë edhe rikthim të bizneseve, por kjo është një situatë e shumë e pasigurt, gjithçka varet nga ecuria e pandemisë gjatë dimrit”.
Lidhur me faktin se sa doli hapur FMN kundër nismës për amnistinë fiskale, ndërkohë që sinjale nga mazhoranca konfirmojnë tërheqjen e projektligjit, gazetari i ekonomisë pohoi se e gjitha mund të jetë më shumë presion nga BE për tërheqje.
“FMN është kundër amnistive dhe nismave që i hapen shtigje korrupsionit, ky nuk është lajmi. Unë besoj që më shumë se sa nga FMN, një tërheqje eventuale e qeverisë i atribuohet presionit nga BE, dhe qeveria duhet të jetë presuar fort nga Komisioni Evropian dhe institucionet e KE, për të mos marrë një iniciativë të tillë, edhe pse ne megjithatë ende nuk kemi një tërheqje finale të qeverisë nga amnistia”.
Në analizën e tij, gazetari Tomorri përmendi edhe faktin se a do të shkojë prapë qeveria në arbitrazh, kësaj here e paditur nga kompania Kurum, për të cilët ai shprehu besimin se këtë radhë Shqipëria nuk do të humbasë, meqë koncensionari nga kjo kompani, në terminalin e mallrave në Portin e Durrësit, nuk ka zbatuar ligjërisht kontratën.



