
Në vijim të operacionit policor të koduar “Fake Gold”, të finalizuar dy ditë më parë, si rezultat i të cilit u arrestuan dy italianë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencura” dhe “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, si dhe u sekuestruan sasi ari i rremë dhe i pastër, arrestohet edhe një person tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Elbasanit arrestuan në flagrancë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasin J. T., 53 vjeç, banues në Elbasan, pronari i argjendarisë në qytetin e Elbasanit, ku u arrestuan në flagrancë dy shtetasit italianë.
Dy ditë më parë u vunë në pranga F. M., 67 vjeç, banues në Napoli, Itali dhe R. G., 76 vjeç, banues në Milano, Itali.
Nga veprimet hetimore rezultoi se dy të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shitur ar (metal) në formë kokrrizash, me vlerë 200 000 euro, në Tiranë dhe Podgoricë, gjatë periudhës qershor-gusht 2022.
Materiali që këta shtetas kanë shitur ka rezultuar më pas, i përzier me metale të tjera.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fake Gold”, dy të dyshuarit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë në qytetin e Elbasanit, gjatë tentativës për të shitur arin e rremë në një argjendari, ku fillimisht kishin mashtruar duke ofruar një sasi të vogël ari të pastër.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kilogramë ar i dyshuar si i rremë, 160 gramë ar i pastër, 4 aparate celulare, 1500 euro dhe 150 franga zviceriane.



