
Ka ndërruar jetë Denis Çumani, 45 vjeç, nga Shijaku, i cili u plagos me armë zjarri mbrëmjen e së martës, më 27 janar, në derën e banesës së tij.
Ai ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë prej disa ditësh, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas hetimeve, mbrëmjen e ngjarjes në banesën e Çumanit kanë shkuar dy kushërinjtë Dorian dhe Indrit Ferra. Fillimisht ata e kanë dhunuar fizikisht dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur rëndë, pasi plumbi i ka përshkuar trupin tejpërtej.
Burime bëjnë me dije se konflikti ka pasur si shkak një vajzë. Çumani i kishte dërguar mesazhe asaj, në një kohë kur ajo ishte në një lidhje me Dorian Ferrën.
Pak ditë para ngjarjes, vajza ishte takuar me Dorianin dhe kishin frekuentuar një lokal, ku gjatë qëndrimit aty ajo ka marrë sërish mesazhe nga Çumani, të cilat janë vënë re nga Ferra.
Pas shoqërimit të vajzës në banesë, Dorian Ferra ka marrë kushëririn e tij, Indritin, dhe së bashku janë drejtuar drejt shtëpisë së Çumanit, ku ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Dy autorët e dyshuar janë shpallur në kërkim nga policia.



