Temperaturat që kanë rënë nën zero gradë, kanë shkaktuar ngrica në rrugë. Në Korçë, kjo problematikë ndeshet në çdo rrugicë të qytetit, ndërsa banorët thonë se me këtë situatë përballen çdo dimër.
Mosha e tretë është ajo që e ka më të vështirë këtë situatë dhe që çdo dalje nga shtëpia e ka të shoqëruar me rrezikun e rrëzimit në akull.
Lëvizjet janë më të pakta, por të detyruar banorët dalin nga shtëpitë për të bërë pazaret apo punë të tjera të domosdoshme.
Përveç shkollave, në Korçë edhe universiteti ka reduktuar orët e mësimit duke i bërë nga 30 minuta.
Kjo situatë paraqitet edhe në rrugët e qytetit të Vlorës. Akulli i krijuar në rrugë apo trotuare ka shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve.
Në këto rrugë nuk janë parë grupe punë të Bashkisë, për të kriposur apo hequr akullin e krijuar në rrugë. Temperatura në qytetin bregdetar ka zbritur deri në -4 gradë.



