
Presidenti Ilir Meta jep një mesazh duke kujtuar ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia.
Meta thotë se sot përkujtohet një ditë e zezë në historinë e Shqipërisë, 7 prill 1939, dita e kthimit të mikut më të ngushtë në armikun më të pabesë ndaj lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë.
Sot është edhe një ditë nderimi për fillimin e Rezistencës Antifashiste të patriotëve tanë, me në krye Heroin Mujo Mulqinaku, që në ato momente të errëta, i dolën për zot Atdheut, duke i qëndruar besnik betimit mbi Flamurin Kombëtar për të mos kursyer as jetën e tyre. Dëshmorët e Atdheut, që ranë në këtë ditë, janë edhe frymëzuesit e gjithë asaj rezistence të mëpasshme, deri në çlirimin e plotë të vendit, që e rreshtoi Shqipërinë në anën e duhur të historisë.
Kreu i shtetit shprehet se çdo kohë dhe periudhë historike ka heronjtë e saj dhe ky truall ka lindur dhe do të rritë gjithmonë heronj, për të mbajtur gjallë amanetin e të parëve tanë brez pas brezi, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe dinjitetit kombëtar.



