Pas incidentit të ndodhur në qytetin e Korçës, ku një qytetar pretendon se u dhunua nga policia dhe garda pas deklaratave drejtuar kryeministrit Rama, ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Policia sqaron se dy ditë më parë shtetasin 53 vjeç nga Korça ka fyer dhe sharë me fjalë të renda kryeministrin Edi Rama pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar” në qytetin e Korçës. Policia përjashton pretendimet e Niko Ndini se ai është dhunuar dhe i janë grisur rrobat e trupit.
“Nisur nga disa shkrime të publikuara në portalet online, ku pretendohet se një qytetar në qytetin e Korçës, është dhunuar e goditur në automjetin e Policisë nga Shefi i Seksionit të Rendit, në Komisariatin e Policisë Korçë, Mariglen Jaçellari, ju informojmë se: Më datë 24.12.2016, rreth orës 13:20, gjatë vizitës që Kryeministri ka kryer pranë “Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar” në qytetin e Korçës, një qytetar konkretisht shtetasi Niko Ndini nga ana tjetër e rrugës, (në trotuar) filloi të bërtasë e të përdorë fjalë fyese në drejtim të Kryeministrit, duke u bërë shqetësim për pjesëmarrësit e tjerë. Në këtë moment, drejt qytetarit janë afruar shërbimet e Policisë dhe shoqëruesit e Kryeministrit të cilët e kanë këshilluar qytetarin, që të mos vijonte me këtë sjellje e të mos bërtiste. Theksojmë se ky shtetas nuk është dhunuar nga asnjë punonjës Policie dhe as nuk është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë”, thuhet në reagimin e policisë.
Ndërkohë që vetë shtetasi që pretendon se është dhunuar rrëfen se çfarë ndodhi atë ditë, kur ai kishte përmendur vetëm emrin e Ben Blushit.



