Indrit Shaqja, i dënuari që mbeti i plagosur në burgun e Peqinit një ditë më parë nga Sokol Mjacaj i cili vrau dhe një të burgosur tjetër, po mbahet nën kujdes mjekësor në Spitalin e Burgut në QSUT.
Gazetari Besmir Pula raportoi në edicionin e lajmeve në MCN TV, se Shaqja po mbahet nën monitorim dhe ndodhet në gjendje më të mirë shëndetësore.
Ai po monitorohet nga bluzat e bardha për të parë në vazhdimësi situatën e tij shëndetësore, por deri në këto momente nuk ka pasur familjarë për ta vizituar.
Sakaq në Spitalin e Burgut siguria është e zakonshme dhe nuk ka forca të shtuara policie, pavarësisht rrezikshmërisë së Indrit Shaqjan i cili vite më parë ka vrarë dy kunata me qëllim grabitjen e tyre.
Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje janë lëshuar të paktën 13 urdhra ndalimi për punonjës të burgut që kanë konsumuar elementë të veprave penale, të cilat më pas do jenë pjesë e hetimit.
Mes tyre është dhe drejtori i burgut Peqin, Kamber Hoxha dhe të ndaluar të tjerë të cilët janë pjesë e burgut të Peqinit.



