
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij gjatë seancës së përbashkët të mbajtur mes deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai tha se shqiptarët ishin sot më mirë se kurrë në raport me të huajt, ndërsa theksoi se njohja e Kosovës do vijë më herët nga se mendohet se dhe nuk do të presë aq sa është pritur për pavarësinë.
Më tej ai shtoi se askush nuk do ta kishte menduar se në këtë 110 vjetor, gjuha shqipe do të ishte zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe se kryeministri i Malit të Zi do të ishte shqiptar.
Më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt. Por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. Unë besoj se edhe njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut. Shumë më vonë pas lirisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, vendi ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si një provokim. Sot nuk besoj se janë të shumtë ata që mund të thonë ata që e dinin se në 110 vjetorin e pavarësisë, Maqedonia e Veriut do kishte shqipen gjuhë zyrtare dhe kryeparlamentarin shqiptar. Po ashtu nuk besoj se e ka menduar dikush më parë se Mali i Zi mund të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot.
Rama u ndal dhe te marrëdhëniet mes dy vendeve për të cilat u shpreh se janë produktive dhe me marrëveshje konkrete, siç janë lëvizja e lirë, rritja e shkëmbimeve tregtare, abetarja e përbashkët.
Marrëdhëniet nuk janë më të shkëlqyera, thjesht sepse jemi dy vende të ndara, por të bashkuara me një zemër, por janë edhe produktive më shumë se ç’kanë qenë më parë. këtë e tregojnë faktet e treguara nga vullneti he rritja e aftësisë për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok. Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare, apo lirinë e lëvizjes, apo abetaren e përbashkët një tjetër ngjarje e rëndësishme dhe e realizuar, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik shqiptar. Apo bashkëpunimin e përditshëm në fushën e energjisë, apo punën e nisur për të bërë realitet atë që është vepra më e madhe, portin dhe hekurudhën. Për hekurudhën themi tani më, ofertuesit që kanë ofertuar për të marrë përsipër studimin e fizibilitetit.
Kryeministri Edi Rama nuk ka harruar të përmendë Hashim Thaçin gjatë fjalës së tij në seancën e përbashkët parlamentare Shqipëri-Kosovë.
Dy emra do të sjell këtu në vëmendje pa të cilët nuk mund të kuptohet as ardhja në këtë ditë, as vazhdimësia pas kësaj dite, LDK dhe UÇK. Të dyja këto lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar i madh në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon.



