Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar mëngjesin e sotëm korifejtë e polifonisë shqiptare me rastin e 15-vjtorit të përfshirjes së këngës polifonike në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO.
Meta shkruan se ky akt vlerësimi reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar.
“Sot kam kënaqësinë dhe krenarinë e veçantë të përshëndes 15-vjetorin e përfshirjes së këngës polifonike shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO!
Urimi më i përzemërt shkon për të gjithë korifejtë shqiptarë të polifonisë, të cilët në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.
Përshëndes kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, studjuesve dhe artistëve të folkorit e kulturës popullore!
Ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar.
Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!
Lavdi përjetë këngës polifonike!”, uroi Meta.



