Shqipëria rishikon rregullat për pensionet private, në fokus standardet e BE-së

Shqipëria rishikon rregullat për pensionet private, në fokus standardet e BE-së

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Banka Botërore dhe Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensioneve (IOPS), e zhvilluar në Cape Town, ku në fokus ishin sfidat dhe zhvillimet e reja në sistemet private të pensioneve.

 

Në aktivitetet e zhvilluara gjatë 14-18 shtatorit 2026 morën pjesë mbi 130 përfaqësues të autoriteteve rregullatore dhe mbikëqyrëse nga vende të ndryshme të botës, përfaqësues të industrisë së pensioneve dhe organizatave ndërkombëtare. Delegacioni i AMF-së përbëhej nga Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut të Kapitalit dhe Fondeve, Aldion Baze, Drejtori i Kabinetit, Emis Çerava, dhe këshilltarja Suela Ruseti.

 

Gjatë takimit të Komitetit Teknik të IOPS u diskutuan zhvillimet më të fundit në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes së pensioneve private, me fokus te qeverisja e fondeve, ndërhyrja mbikëqyrëse, masat zbatuese dhe sanksionet.

 

Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe rishikimit të metodologjisë për vlerësimin e sistemeve mbikëqyrëse në përputhje me parimet e IOPS, si dhe Programit të Punës së organizatës për periudhën 2027–2028, me synim adresimin e sfidave të reja të sektorit të pensioneve private.

 

Punimet vijuan me konferencën ndërkombëtare të organizuar bashkërisht nga Banka Botërore, IOPS dhe FSCA, me temën “Improving Lives Through Better Member Experiences”. Diskutimet u përqendruan te përmirësimi i rezultateve për anëtarët e skemave të pensioneve, forcimi i qeverisjes dhe transparencës, si dhe përshtatja e produkteve të pensionit me rritjen e jetëgjatësisë dhe ndryshimet në ciklin e punës, kursimit dhe pensionit.

 

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, AMF bëri të ditur se po vijon punën për përafrimin e plotë të kuadrit shqiptar të fondeve të pensionit privat me acquis të Bashkimit Evropian.

 

Me mbështetjen e Bankës Botërore, Autoriteti ka përgatitur projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 76/2023 ‘Për fondet e pensionit privat’”. Ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator, veçanërisht në drejtim të qeverisjes, administrimit të rrezikut, funksioneve kyçe, investimeve, transparencës dhe mbrojtjes së anëtarëve.

 

Sipas AMF-së, këto ndryshime synojnë sigurimin e përputhshmërisë së kuadrit shqiptar me kërkesat e Direktivës IORP II për skemat e pensioneve profesionale.

 

Autoriteti vlerëson se pjesëmarrja në forumet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me autoritetet homologe kontribuojnë në shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira, forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator shqiptar në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy