Diplomati Lisien Bashkurti shpreh shqetësim për situatën mes Rusisë dhe Ukrainës, por thotë se nuk mungojnë as elementet e ekzagjerimit, pasi vihet në punë imagjinata, për shkak të historikut të luftërave.
Duke folur në emisionin “Arnautistan”, ai tha se ndihen ende pasojat e luftës së parë, të dytë dhe luftës së ftohtë.
“Pushteti është tejet i centralizuar drejt një personi, Kremlini kontrollon politikën, ekonominë, përmes oligarkëve. Ka një opozitë kukull që e komandon vetë. Putin shfaqi figurën e një ambiciozi, me ambicie aventureske dhe të ekzagjeruara në planin ndërkombëtar. Lideri i opozitës ruse, Navalny, e ka përshkruar mjaft mirë se një nga shkaqet të këtij agresiviteti në marrëdhëniet ndërkombëtare të Putin, është për të mbuluar dështimet e tij, sidomos korrupsionin. Një pjesë e vendimeve të Putin, janë pa bazë logjike”, u shpreh Bashkurti.
Për gjestikulacionin e Putin, ai tha se jep idenë e pushtetit ekstremisht të personalizuar dhe të shkëputur shumë nga kontaktet dhe gjendja.
Sipas Bashkurtit, thirrjet janë të ndryshme dhe një nga hipotezat që po zë vend më shumë, është se veprimet e fundit po e çojnë Putin, drejt një vetëvrasje, drejt një izolimi të plotë, drejt një pakënaqësie të njerëzve.
Bashkurti tha se Presidenti rus, është në paradhomën e eliminimit të tij nga jeta politike.



