Banka e Shqipërisë ka shënuar një rekord historik në rezervat e arit, duke iu afruar vlerës së gjysmë miliardë eurove në fillim të vitit 2026.
Ky zhvillim sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në strategjinë e institucionit, që synon forcimin e qëndrueshmërisë financiare dhe mbrojtjen ndaj pasigurive globale.
Në një kohë kur ekonomia botërore po përballet me tensione gjeopolitike, luftëra tregtare dhe konflikte në Lindjen e Mesme, ekspertët flasin për një “realitet të ri” ekonomik, ku krizat nuk janë më të përkohshme, por strukturore.
Eksperti i financave, Rildo Ngjela, vlerëson se lëvizja e fundit e Bankës së Shqipërisë për rritjen e rezervave të arit është një sinjal i qartë për sfidat që priten.
Sot po përballemi me një realitet të ri. Nuk kemi më kriza afatshkurtra, por një krizë të vazhdueshme të ndikuar nga konfliktet globale. Çmimet nuk stabilizohen: rriten, bien pak dhe rriten sërish. Shqipëria, si një ekonomi e varur nga importet, është e ekspozuar ndaj këtyre goditjeve. Institucionet duhet të veprojnë paraprakisht për të ndërtuar qëndrueshmëri afatgjatë.
Ai thekson gjithashtu se ka probleme të brendshme në mënyrën e përllogaritjes së çmimeve, veçanërisht për karburantet.
Kur çmimet rriten, ato nuk kthehen më në nivelet e mëparshme. Ka një formulë të gabuar taksimi dhe një strukturë të vjetër që favorizon rritjen artificiale të çmimeve.
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë, Pano Soko, e sheh krizën si pasojë të një konfigurimi të ri global ekonomik dhe gjeopolitik.
Konfliktet nuk janë rastësore. Ato kanë prodhuar një realitet të ri ekonomik. Europa sot është e dobësuar në furnizimin me energji dhe kjo ka qenë një nga qëllimet kryesore. Ndërkohë, synimi tjetër ka qenë frenimi i Kinës.
Sipas tij, efektet e kësaj situate ndihen jo vetëm në Europë, por edhe në SHBA dhe tek konsumatori global.
Çmimet e naftës janë kyçe. Nëse ato rriten shumë, ndërhyhet menjëherë sepse konsumatori amerikan nuk e përballon. Por problemi është se në tregjet lokale, çmimet nuk ndjekin logjikën e bursës. Kjo tregon se ka abuzim dhe mungesë transparence.
Ekspertët bien dakord se Shqipëria duhet të përgatitet për një periudhë të gjatë pasigurie ekonomike, ku menaxhimi i rezervave dhe politikat fiskale do të jenë vendimtare.



