
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë thirrje për negociata të drejtpërdrejta me Iranin, pas sulmeve ushtarake të së shtunës. Në një intervistë për Fox News, Rubio deklaroi se SHBA është e gatshme të bisedojë me Iranin “që nesër”, në përpjekje për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore.
Rubio përsëriti se Washingtoni e pranon të drejtën e Iranit për një program bërthamor civil, por jo për pasurim uraniumi, duke theksuar se ekziston ende një mundësi për marrëveshje. Sipas tij, Irani ka refuzuar ofertat amerikane dhe ka shmangur kontaktet për më shumë se 10 ditë para operacionit ushtarak.
"Ne nuk do të pranojmë më komunikim me shënime. Duam negociata të drejtpërdrejta", tha Rubio, duke shtuar se Evropa po luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e dialogut dhe SHBA e përkrah këtë përpjekje.
Rubio theksoi gjithashtu se Irani duhet të bëjë një zgjedhje të qartë: nëse dëshiron energji bërthamore civile, mund ta arrijë këtë pa pasuruar uraniumin, ashtu si shumë vende të tjera në botë.



