Një vendim i dhënë nga Gjykata e Tiranës, ka çuar në pranga një nënë që sapo ka sjellë në jetë një fëmijë. Rasti i denoncuar në MCN TV i përket një 26-vjeçareje të dënuar me gjobë për braktisjen e fëmijës së lindur në martesën e parë, dënim i cili është konvertuar në burg. Në studion e lajmeve, avokati i të dënuarës, Anton Kosteri, tha se të dy vendimet në ngarkim të saj janë marrë pa dijeninë e saj. Ajo nuk është dëgjuar asnjëherë si palë në gjykatë dhe për më tepër, ligji e përjashton zbatimin e vendimit në kushtet në të cilat ndodhet aktualisht. Për këtë arsye, Kosteri tha se do t’i drejtohen sërish gjykatës me kërkesën për shtyrjen e zbatimit të vendimit.
Një fëmijë duhet në mënyrë absolute të qëndrojë 40 ditët e para me nënën. Nga dokumentacioni, sepse çështja më ka ardhur sot, rezulton se ajo me vendimin e vitit 2020, është dënuar me 250 mijë lekë të reja gjobë. Më 13 qershor 2022, dënimi është konvertuar në 50 ditë burgim. Ajo është dënuar për braktisjen e fëmijës së parë. Por të dyja dënimet janë dhënën në mungesë të të dënuarës. Pra, ajo nuk është dëgjuar asnjëherë.
Ajo që është e paligjshme është mënyra e ekzekutimit të këtij vendimi. Neni 5 dhe neni 6 i konventës për të drejtat e fëmijës është i qartë. Ai fëmijë ushqehet me qumësht gjiri dhe nënën nuk e ka afër.
Vendime të ngjashme pezullohen për gra shtatzëna dhe ato që kanë fëmijë të vegjël.
Çështja te unë ka ardhur sot. Por më 7 mars, policia gjyqësore kishte detyrimin të njoftonte prokurorët, të cilët sipas dispozitave ligjore, të bënin kërkesën në gjykatë dhe të sqaronin pse zbatimi i vendimit duhet shtyrë.
I kërkoj kryetares së KLGJ dhe të gjithë gjyqtarëve të seksionit penal ta shqyrtojnë me precedencë, sepse ne do të kërkojmë shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.



