Në vitin 2005 në Athinë Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë një memorandum me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për të themeluar sëbashku një bursë ku do të tregtohej energjia elektrike.
Synimi ishte krijimi i tregu të përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në infrastrukturë të cilat do të ndihmonin dy shtetet në fushën e energjisë: sektor që është pjesë e sigurisë kombëtare.
Që atëherë kaluan shumë vite, dhe bursa do të përmendej në takime të niveleve të larta sa herë që kishte vizita zyrtare, por vetëm në maj të vitit 2019 Këshilli i Ministrave do t’i hapte rrugë krijimit të bursës duke miratuar vendimin për nisjen e procedurës së themelimit. Kompania Alpex u themelua një vit më pas, më 5 tetor 2020 me dy aksionerë: Operatorin e Sistemit të Transmetimit shqiptar me 57.25% të aksioneve dhe KOST të Kosovës me 42.75% kuotave.
Që nga themelimi dhe deri në nisjen e funksionimit të bursës, do të kalonin sërish vite. Fillimisht duhej që procedurat për regjistrimin e kompanive që do të listoheshin dhe mënyrën e funksionimit të saj të miratoheshin nga entet rregullatorë të dy vendeve. Më pas do të duhej të niste ndërtimi i platformës, testimi dhe trajnimi i stafit të punës.
Bursa u hap zyrtarisht më 11 prill 2023.
Ndërtimi i platformës ALPEX kushtoi 2.1 milion euro dhe u ndërtua nga një konsorcium kompanish greke Hellenic Energy Exchange (Bursa Greke e Energjisë), Enex Clearing House dhe Hellenic Exchanges Athens Stock që është Bursa e Titujve të Greqisë.
2.3 milion euro janë kapital i kontribuar nga aksionerët në këtë bursë, ku OST ka dhënë 1.32 milion euro dhe 400 mijë euro kanë kushtuar shpenzimet për palën shqiptare në dy vite që prej themelimit të saj. Në total i gjithë investimi në bursën e energjisë deri tani është afërsisht 4 milion euro.
“Hapja e bursës është positive dhe ajo përfshin kapital privat për të qënë transparent në trasaksione.” thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
Sa duhet që ky investim të mbrojë interesat e kompanive publike të sektorit të energjisë, ku njëra prej tyre është dhe aksionere e bursës.
Historia e transparencës dhe efektivitetit që sjell konkurrenca në Shqipëri nuk kanë gjithmonë në kahun e parave që janë shpenzuar në këtë drejtim.
Vetë kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike OSHEE, gjatë kohës që kryente procedurat e blerjes së energjisë investoi një një platformë online e cila eleminoi tenderat me zarfa. Ofertat bëheshin live përmes platformës.
Në fund të vitit 2021, kur çmimet e larta të energjisë shkaktuan një krizë në pjesën më të madhe të vendeve të botës, qeveria ngarkon për të kryer blerjet e energjisë KESH-in, duke ia hequr OSHEE-së. KESH zhvilloi dhjetra tendera, por në asnjë rast nuk përdori platformën e OSHEE për të bërë shitjet dhe blerjet.
Përkundrazi, edhe në fund të procedurave të prokurimeve nuk shpallte listën e fituesve, por vetëm çmimin mesatar me të cilin ishte blerë energjia e kërkuar. As pikën e lëvrimit, as fashën e orarit dhe sigurisht as çmimet e ofertuara sipas operatorëve.
Në këtë kohë KESH hap një tender për të ndërtuar një platformë për shit-blerjen e energjisë elektrike, procedurë që u ankimua dy herë në Komisionin e Prokurimit Publik dhe ky i fundit e ktheu për të rregulluar kriteret të cilat ishij diskriminuese. Për të ndërtuar këtë sistem u shpenzuan 1.3 milion euro, por platforma shërbeu vetëm për disa muaj pasi nisi operimin e bursa e energjisë.
Sot edhe pse bursa është e hapur dhe KESH ka një platformë për tregtimin e energjisë elektrike, sërish ofertat bëhen me zarfa.
“Bursa është krijuar që të bëjë transparencë dhe nuk cakton çmime, por po bëhen gati dy muaj që është krijuar dhe nuk kemi një bilanc sa na ka kursyer para? Edhe pse e kemi bursën funksionale, KESH po e shet energjinë elektrike jashtë saj.” thotë eksperti i energjisë Azmer Duleviç.
Por nëse të gjitha këto para janë shpenzuar që kompanitë publike të përfitojnë financiarisht nga shitjet dhe blerjet e energjisë dhe të shmangin “sekserët”, ata që janë regjistruar sërish në bursë janë kompanitë kliente të KESH, OSHEE dhe OST historikisht, asnjë operator nga tregu rajonal apo prodhues të energjisë elektrike në vend apo shtete të tjera.
Përveç kompanive publike OST, FTL, FSHU, OSSH dhe KESH, ata që do të tregtojnë energjinë janë Ener Trade, EZ-5 Energy, Gen-I dhe Renergy Trading Group.
“Modeli më i mirë është që KESH apo OSHEE të ishin vetë aktorë, të regjsitroheshin në një bursë rajonale apo të BE-së dhe ta blinte vetë energjinë pa patur nevojë për ndërmjetës, që enerjginë që i shesin KESH e marirn nga bursa, i shtojnë dhe fitimin e tyre që shpesh është abuziv dhe fitojnë para.” thotë gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri.



