Shqipëria hap sot negociatat me Bashkimin Europian për grup-kapitullin e parë.
Kryeministri Edi Rama, e konsideroi këtë ngjarje një gurthemel historik drejt ribashkimit europian, në konferencën e përbashkët për mediat me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, si dhe komisionerin për zgjerimin Olivér Várhelyi.
Në fjalën e mbajtur Szijjártó u shpreh: "Çështja e përshpejtimit të zgjerimit të BE-së drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor, ka qenë në krye të rendit të ditës të Presidencës hungareze. E kuptojmë që BE po humbet konkurrueshmëri, peshën e tij, kur vjen fjala në politikën globale, kësisoj BE-ja ka nevojë për freski, energji të reja. Duke e njohur rajonin, e dimë që kjo energji e re do vijë nga hapësira e Ballkanit Perëndimor. Është në interesin europian që zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor të përshpjetohet”.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi hapjen e grup-kapitullit një gurthemel historik drejt ribashkimit europian.
“Çelja e grupkapitujve të themelorëve sot, 5 kapitujt kryesor plus 3 kriteret përbën një arritje të madhe si për Shqipërinë dhe BE-në, dhe shënjon një gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian. Një gazetar dje më pyeti nëse Shqipëria ka një plan B, nëse BE vonon apo ndërlikon procesin. Për fat të keq herë-herë BE është e padrejtë me vendet kandidate. Megjithatë ne shqiptarët s’mund të kemi një plan B, kur vjen fjala për liritë individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale”.



