Analisti Ben Andoni deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë po vuajnë pjesën e protagonizmit të dy kryeministrave, Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Sipas Andonit kjo pjesë duhet të tejkalohet pasi Kosova është para një udhëkryqi historik. "Duhet të përfaqësosh një faktor të madh, një vend që ka bërë ndryshime, që ka ditur të zgjidhë gjëra për të bërë role të tilla. Kjo pjesë e protagonizmit që ka Rama më shumë e largon nga problematikat e vendit dhe do t’i japë vetes atribute në skakira shumë të mëdha ndërkombëtare që kuptohet që janë të destinuara të mos shkojnë deri në fund. Ne me Kosovën kemi marrëdhënie të mira dhe të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira. Kjo është një ngricë për momentin e pjesës së protagonizmit që në këtë rast në disa momente e gjykoj pozitivisht Kurtin, për pozicionin e tij, por në disa momente më duket se protagonizmi i tij është pak i tepruar. Marrëdhëniet tona po vuajnë atë pjesën e protagonizmit të Kurtit me Ramën. Duhet ta tejkalojnë se Kosova është para një udhëkryqi historik dhe jo para një udhëkryqi politik".



