Çështja e arbitrazhit mes qeverisë dhe firmës së biznesmenit Italian, Françesko Beketi, duket se do t’i kushtojë jo pak qeverisë shqiptare. Me një vendim të djeshëm, Këshilli i Ministrave i ka akorduar Ministrisë së Energjisë shumën shtesë prej rreth 125 mijë dollarësh. Kjo shumë do të shkojë për të paguar avokatët e kontraktuar për përfaqësimin e shtetit shqiptar në arbitrazh.
V E N D I M
PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E ENERGJISË DHE INDUSTRISË, NË CILËSINË E ORGANIT TË INTERESUAR, PËR PAGESËN E FATURAVE TË AVOKATËVE TË KONTRAKTUAR PËR PËRFAQËSIMIN DHE MBROJTJEN NË ÇËSHTJET E ARBITRAZHIT NDËRKOMBËRTAR ICC, NR.20564/EMT HYDRO S.R.L. KUNDËR REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE ICSID, NR.ARB/15/28 HYDRO S.R.L. & OTHERS KUNDËR REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE ÇDO SHPENZIMI TJETËR TË LIDHUR ME TO
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e organit të interesuar, në buxhetin e miratuar për vitin 2016 i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 175 000.00 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) eurosh dhe 125 000.00 (njëqind e njëzet e pesë mijë) dollarësh për kryerjen e pagesave të faturave të avokatëve të kontraktuar për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ICC, nr.20564/EMT Hydro S.R.L. kundër Republikës së Shqipërisë, dhe ICSID, nr.ARB/15/28 Hydro S.R.L. & Others kundër Republikës së Shqipërisë, si dhe për çdo shpenzim tjetër të lidhur me to, në përputhje me faturat e miratuara nga Avokatura e Shtetit.
2. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2016. 3.
Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI NIKO PELESHI



