Edhe sot në ditën e 12 të grevës për naftëtarët e Ballshit, ende nuk ka asnjë zgjidhje për 20 pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në rafineri. Për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, edhe pse kryeministri e tha vetë se është shumë i sensibilizuar me çështjen, sipas tij, ai ka qenë disa herë garant i kompanisë Armo, por pa sukses. Në studion e lajmeve në TvT, Tomorri, u shpreh shumë skeptik për zgjidhjen e kësaj çështjeje, dhe se përgjegjës për këtë, është vetë kryeministri.
“Fakt është që kryeministri si garant nuk jep shpresa për zgjidhjen e problemit. Çdo herë që Armo është vënë në punë, ka qenë kryeministri garant, edhe në vitin 2014, ishte kryeminsiti me ish-ministrin Gjiknuri dhe Ahmetaj, që prezantuan në Ballsh një investitor amerikan që do t'i jepte fund problemit të Armos, por ja që skema e parë rezultoi mashtrim, sot ata naftëtarët që janë aty në grevë urie, përgjegjës për ta është kryeministri, sepse ka qenë ai që ka garantuar besimin e naftëtarëve që ju të punoni këtu sepse kemi sjellë investitor seriozë, por ata janë ndryshuar disa herë nga qeveria, duke i lënë aftëtarët pa rroga dy vjet dhe i ka çuar në këtë pikë në sakrificë. Në këtë pikë e shoh me skepticizëm çdo gjë që ofron për Armon kryeministri”.
Përderisa gjërat erdhën deri në këtë pikë, për gazetarin Tomorri, “zgjidhja” e vetme për kompaninë është falimentimi, sepse në të kundërtën situata do të përsëritet sërish në dëm të punëtorëve.
“Një komopani, një aset, e cila është vënë në punë, dhe sa herë është vënë në punë ka përfunduar ose duke lënë punën ose duke lënë punonjësit pa rroga, zgjidhja do të ishte falimenti. Kjo kompani është lënë për të grabitur paratë e njerëzve, ndoshta do të vijë dikush tjetër dhe do t'i paguajë pagat dhe do të rifillojë cikli sërish.
Në çdo parafushatë elektorale, Armo ndizet, punon para fushatës disa muaj, dhe lihet aty ku është. Ajo nuk është rentabël për të rigjeneruar fitime.
Kompania duhet të çohet në falimentim, në të kundërtën do të kemi përsëritje të problemit”.
Në analizën e tij, gazetari Tomorri, është kundër heqjes së taksës së qarkullimit, sepse sipas tij, nëse do të mirrej një masë e tillë do ta vinte buxhetin në situatë serioze financiare, e për pasojë do të fillojmë të japim më pak para për spitalet dhe shkollat, edhe ashtu me nje buxhet të pakët.



