Dëshira Mena nga Unioni i Inxhinierëve Shqiptarë mendon që kontrolli i thelluar nga Tatimet do të ketë ndikim në formalizimin e sektorit të ndërtimit. Mena theksoi që ka kompani nënkontraktore që janë person fizik, me dy persona të regjistruar në listë pagesë! Po ashtu ajo vuri në dukje se filtri duhet të përfshijë të gjithë zinxhirin, duke filluar nga projekti.
“Nisma duhet të ishte marrë me kohë. Patjetër që ka informalitet në sektorin e ndërtimeve. Gjithë ky bum ndërtimesh duhet monitoruar. Të behet një vlerësim korrekt i gjithë aktivitetit të ndërtimit. S’janë vetëm pagat. I gjithë investimi në sektorin e ndërtimit, që kur bëhet një plan biznesi, që aty duhet të nisë investigimi dhe të shihet burimi i të ardhurave. Ti bën një shërbim inxhinierik je i detyruar të lëshosh një faturë tatimorë.
Për çdo material, mall, punëtor, konsulencë. Patjetër që duhet bërë dhe duhet bërë i thelluar. Jemi gati të japim kontributin tonë për të bërë një vlerësim të tillë. Projekte pa fatura, shërbime nënkontraktorësh pa fatura! Si mund të justifikohen kontrata miliona euro me staf një person?! Bëhen ndërtime me kulla shumëkatëshe ku projektet inxhinierike të asaj kulle lidhen me një person fizik! Projekte inxhinierike duan staf inxhinierik.
Informaliteti në ndërtim është gur themeli për të garantuar cilësinë, standardin, për t’i dhënë siguri blerësit. Gjurmo paratë dhe aty gjen çdo gjë. Është punë që duhet të përfshijë edhe sektorë të tjerë përveç Tatimeve. Tatimet janë të detyruara të bëjnë një analizë të thelluar që ta gjurmojnë të gjithë zinxhirin.
Ke kompani nënkontraktore që janë person fizik, me dy persona të regjistruar në listë pagesë. Filtri duhet bërë për gjithë zinxhirin, duke filluar nga projekti. Nuk mund të ketë më projekte të firmosura nga individë pa lekë, pa faturë, ia bëra dhuratë! Që të lidhësh kontratë serioze miliona euro me një nënkontraktorë me një individ të punësuar, s’duhet ta lejojë ligji”.



