Besimtarët ortodoksë në Shqipëri, kanë kujtuar dje atë që njihet si e Premtja e Zezë.
Kjo ditë simbolizon vuajtjet e Jezu Krishtit, kryqëzimin dhe vdekjen e tij në Kryq.
Besimtarët ortodoksë në kryeqytet dhe në Korçë si dhe në qytete të tjera, kanë mbajtur shërbesën për Epitafin, ndërsa të dielën do të jetë edhe Pashka Ortodokse.
Rrugëtimi i Epitafit ka filluar me grumbullimin e besimtarëve ortodoksë të pesë kishave në sheshin përballë katedrales "Ringjallja e Krishtit", me pas besimtarët por dhe shumë qytetarë korçarë përfshi këtu edhe ata të besimeve të tjera fetare kanë lëvizur përgjatë pedonales dhe bulevardeve "Fan Noli" e "Republika" në 14 ndalesat e mundimeve të Jezu Krishtit.
Ceremoninë e së Premtes së Zezë e ka drejtuar Mitropoliti i Korçës dhe Voskopojës Hirësia e Tij Imzot Joan Peleshi.
Gjtihashtu edhe në qytetin e Vlorës qindra besimtarë ortodoksë dhe qytetarë i janë bashkuar kremtimeve te së Premtes së Zeze. Mesha është drejtuar nga At konstandin Prifti në kishën e Shën Theodhorit në Vlorë. Më pas besimtarët dhe qytetarët i janë bashkuar ecjes në qytet.
Qindra besimtarë ortodoksë ne Fier morën pjesë në ceremoninë e shëtitjes së Epitafit të Krishtit. Ky rit fetar organizohet në mbrëmjen e së premtes se zezë. Një dite kreshme dhe lutjeje e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.
Qindra besimtarë ortodoksë të qytetit të Lushnjës kanë kremtuar të Premten e Zezë,e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq. Riteve të organizuara në Kishën e “Shën Gjergjit" ju janë bashkuar qindra besimtarë ortodoksë, që u bënë pjesë e këtij rituali, që simbolizon varrin e Krishtit.
Një numër i lartë besimtarësh ortodoksë u bënë pjesë e ceremonisë së Udhës së Kryqit mbrëmw në Durrës nga katedralja e "Apostull Pavlit dhe Shën Astit".
Një kortezh i gjatë kanë shoqëruar Epitafin, që simbolizon Krishtin në kryq.
Kremtimi i Pashkës do të kulmojë të shtunën në mbrëmje, për të marrë qirinjtë.



