Dy javë nga nisja në grevës së urisë e naftëtarëve, shëndeti i tyre është përkeqësuar ndjeshëm dhe tre persona janë shtruar me urgjencë në spital një ditë më parë.
Gazetarja Evi Gjini raportoi për edicionin e lajmeve në MCN TV se dy prej tyre nuk janë kthyer më në grevë, për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore.
Nga 10 persona, 8 janë aktualisht naftëtarët grevistë. Grevës i janë shtuar dhe naftëtarë të tjerë, të cilët kanë braktisur punë.
Por disa prej tyre janë thyer pasi kanë detyrime, kredi dhe vështirësi ekonomike, duke rifilluar punën.
Naftëtarët të mërkurën do bëjnë një protestë të madhe para zyrave të “Bankers” në Fier, pasi deri më tani asnjë nga kërkesat e tyre nuk është plotësuar.
I vetmi takim ka qenë tre ditë më parë me përfaqësuesit e administratës së “Bankers”, ku iu ofrua vetëm një shtesë e kuotës ushqimore dhe asnjë lloj bisedimi tjetër nuk u la për më tej.
Është parashikuar që një përfaqësues i Avokatit të Popullit, do t’i takojë. Një përfaqësi e naftëtarëve të vjetër pensionistë kanë shkuar pranë grevistëve, pasi i mbështesin. Ndërkohë asnjë nga deputetët e qarkut Fier, nga 16 të zgjedhur, asnjë nuk i ka kontaktuar.
Kompania “Bankers” vazhdon të heshtë dhe kjo bën që ata të vazhdojnë grevën.



