
Gjatë qëndrimit në Shkup, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar me përfaqësuesit e partive politike kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Takime u zhvilluan me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, me kryetarin e Bashkimit Demokratik Për Integrim, Ali Ahmeti, me kryetarin e Partisë Demokratike Evropiane, Arjanit Hoxha, si dhe me figura të tjera të rëndësishme të politikës në Maqedoninë e Veriut.
Përgjatë bisedimeve, Begaj u ndal te nevoja e koordinimit dhe e bashkëpunimit më të ngushtë mes faktorit shqiptar në rajon.
Kjo do të ishte në dobi më së pari të mirëqenies së shqiptarëve, e pa diskutim edhe në funksion të përmbushjes së objektivit strategjik sa më shpejt, atë të integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të rajonit.
Dje, krerët e shteteve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian u takuan në Maqedoninë e Veriut i kërkuan bllokut të përshpejtojë procesin e tij të zgjerimit.
Në një deklaratë të përbashkët nga presidentët e Serbisë, Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë thuhet se BE dhe Ballkani Perëndimor “duhet të jenë gati për zgjerim, sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 2030”.



