Pas tre vitesh betejë epike me segmente të politikë dhe gjyqësorit, falë këmbënguljes dhe investimit historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, reforma në drejtësi po merr trajtë përfundimtare.
Nën presionin e fortë të Perëndimit, organet e Kuvendit janë vënë në lëvizje për të ngritur dy shtyllat e reformës në drejtësi: Organet e Vetingut dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Parlamenti Shqiptar do të mblidhet sot për të miratuar anëtarët e Kolegjit të Apelimit, i cili njihet ndryshe si gjykata e shkallës së dytë e Vetingut, që do të vendosë për fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Votimi i sotëm pritet t’i hapë zyrtarisht rrugë zbatimit të Vetingut, pra skanimit të trefishtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Votimi i sotëm i hap rrugë edhe ngritjes së institucioneve të reja anti-korrupsion: Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale.
800 gjyqtarë dhe prokurorë nën hetim
Ngritja e organeve të Vetingut vendos automatikisht nën hetim të trefishtë njerëzit e drejtësisë aktuale. Me zbatimin e Vetingut 800 gjyqtarë dhe prokurorë de fakto janë të shkarkuar, ndërsa për t’u bërë pjesë e drejtësisë së re, duhet të kalojnë kontrollin për pasuritë, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Testi më i rëndësishëm, i cili pritet të përjashtojë nga sistemi shumë gjyqtarë dhe prokurorë, është verifikimi i ligjshmërisë së pasurive të deklaruara si dhe identifikimi i pasurive të fshehura. Tre do të jenë faktorët të cilët do të hetojnë pasurinë. Hetimi fillestar dhe kryesor bëhet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Duke iu referuar edhe afateve të parashikuara në ligjin e Vetingut, ILDKP mësohet se i ka përgatitur dosjet e para të pasurive, shoqëruar edhe me rekomandimin përkatës. Dosjet do t’i kalojnë Komisionit të Vlerësimit të Vetingut. Ky i fundit, i asistuar nga Njësia e Shërbimit Ligjor, e përbërë nga këshilltarë ligjorë dhe ekonomikë, do të verifikojë dosjet e referuara nga ILDKP. Gjatë hetimit administrativ, anëtarët e Komisionit mund të kërkojnë informacione shtesë nga çdo institucion publik brenda vendit, por edhe nga shtetet e tjera.



