Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë se është e vështirë të bëhen projeksione në lidhje me situatën që ka krijuar kriza energjetike dhe rritja e çmimeve. Në studion e lajmeve të MCN TV, Tomorri u shpreh se kriza e energjisë nxori në pah dështimin e reformës që qeveria “Rama” ndërmori në këtë sektor në mandatin e parë qeverisës.
Gjithçka varet nga ecuria e motit. Sistemi ynë bazohet në prodhimin nëpërmjet ujit. Nëse thatësira vijon, atëherë fondi që qeveria ka vendosur nuk do të mjaftojë për sigurimin e energjisë deri në fund të vitit. Energjia është shndërruar në risk të mirëfilltë fiskal.
Shqipërisë i është kërkuar gjithmonë nga FMN dhe BB ta eliminojë njëherë e përgjithmonë, por nuk arrin ta bëjë sepse reforma në sektorin energjetik prodhoi dështim. Tani jemi të detyruar të përdorim para nga taksat.
Kjo është situatë dinamike. Kriza sapo ka filluar. Është e sigurt që qeveria pranoi se do të ketë ngadalësim të rritjes ekonomike. Qeveria pranon se rritja do të jetë më e vogël. Kriza e çmimeve e ka ulur fuqinë blerëse. Ky është vetëm raundi i parë që kriza e çmimeve po jep në ekonomi. Është një situatë ku është e vështirë të bëhen projeksione. Jemi përballë një dallge inflacioni.



