
Gjykata e Tiranës, ka dhënë vendimin, duke shpallur fajtor Faik Bucin dhe djalin e tij Shkëlzen Buci, për vrasjen e vajzës dhe motrës, Eglantina Buci.
Babë e bir u dënuan me nga 25 vite burg secili, duke u provuar kështu fajësia për krimin e ndodhur në shtator të vitit 2012.
Faik dhe Shkëlzen Buci u dënuan për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Mbetjet e trupit të Eglantina Bucit, u gjetën të groposura në Malin me Gropa vetëm në vitin 2020. E reja u tërhoq drejt Malit me Gropa nga i vëllai, ku dhe u ekzekutua me armë zjarri, me urdhër të të atit.
Gjithë ngjarja u zbardh nga një shok i Shkëlzen Bucit, i cili kishte parë gjithë skenën e krimit dhe bashkëpunoi me drejtësinë, çka çoi në arrestimin e dy familjarëve të viktimës.
Ndërkohë, dyshohet se krimi ndodhi “për nder”, pasi 23-vjeçarja ishte larguar nga banesa për të jetuar me të dashurin.



