
Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2023 i është dhënë autorit norvegjez Jon Fosse për “dramat dhe prozën e tij novatore që i japin zë të pathënës”, njoftoi Akademia Suedeze në Stokholm të enjten.
Në motivacionin e Akademisë Suedeze thuhet po ashtu se Fosse "bashkon rrënjët në gjuhën dhe natyrën e prejardhjes së tij norvegjeze". Komiteti lavdëroi stilin e autorit, i njohur si "minimalizmi i Fosse-së".
Sipas fjalëve të Akademisë, “në reduktimin rrënjësor të gjuhës dhe veprimit dramatik, ai shpreh emocionet më të fuqishme njerëzore, të ankthit dhe pafuqisë, në termat më të thjeshta dhe të përditshme”.
"Jam i tronditur dhe disi i frikësuar," tha Fosse në një deklaratë për agjencinë e lajmeve "Reuters" pasi iu komunikua fitorja e çmimit. “Unë e shoh këtë si një çmim për Letërsinë që para së gjithash, pa konsiderata të tjera", shton ai.
Fosse, 64 vjeç, ka lindur më 29 shtator 1959 në Haugesund të Norvegjisë. Vepra e tij përbëhet nga rreth 40 drama, si dhe një mori romanesh, poezish, esesh, librash për fëmijë dhe përkthime.
Ai debutoi me romanin "Raudt, svart" ("E kuqe, e zezë") në vitin 1983, ku trajton temën e vetëvrasjes, vepër që do të kthehej në një gur kilometrik për punën e tij të mëtejshme.
Më herët dramaturgu novergjez ka fituar Çmimin e Letërsisë së Këshillit Nordik dhe çmimin ndërkombëtar “Booker”. Në vitin 2003, u bë kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës së Francës. Në një listë të “The Daily Telegraph” Fosse u rendit i 83-ti në listën e 100 shkrimtarëve më të mirë të gjallë.
Që nga viti 1901 janë akorduar në total 115 Çmime Nobel në Letërsi. Vitin e kaluar, shkrimtarja franceze Annie Ernaux u bë gruaja e 17-të që fitoi çmimin Nobel në letërsi.
Dy shkrimtarë e kanë refuzuar çmimin, Jean-Paul Sartre në vitin 1964 dhe Boris Pasternak në vitin 1958.



