I ftuar në studion e TVT, ish-drejtori i Institutit për Shëndetin Publik, Besnik Jakaj, shprehet se menaxhimi i situatës në përballjen me virusin Sars Cov 2 ka dalë jashtë kontrollit, duke ngritur problemin se qytetarët paraqiten në farmaci pa kontroll mjekësor për të marrë medikamente anti-Covid.
“Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë lloj masë rimbursimi as për barnat, as për ndonjë pagesë shtesë të mjekut të familjes, nuk ka asnjë monitorim, as nga pikëpamja profesionale, janë në zgjedhje të qytetarëve, shto faturat që u bëhen nga barërat, shkon deri në 3 mijë euro, nga ana tjetër MSH nuk ka marrë asnjë lloj mase as për rimburismin e barërave, por as për pagesën shtesë të mjekur të familjes që të ndiqen me një protokoll dhe të raportohen. Një qytetar nëse shkon të bëjë tampon, shkon më shumë se dhjetë ditë, pa mundur të fillosh asnjë lloj terapie, sepse dëmi është shkaktuar tashmë, për të bërë ritamponimin, që ti të jesh 14 ditë në karantinë e të negativizohesh shkon 20 ditë, pra në këtë mënyrë ne nuk kemi asnjë lloj kontrolli në sistem për pandeminë. Prandaj bëhet zgjedhja fatale, duke shkuar vetë pacientët në farmaci, duke marrë barërat vetë, pa bërë asnjë lloj kontrolli shkencor për vendosjen e diagnozës për të parë ku është prekja organike e individit me Covid”.
Jakaj pohoi faktin se ka qytetarë dhe biznese që janë duke abuzuar me këtë situatë duke ngritur çmimet në mënyrë të pakontrolluar.
“Kemi tamponin më të shtrenjtë në botë në sistemin privat. Është 100 euro një tampon, edhe një herë tjetër do e bësh për t'u negativizuar, që janë 200 euro, shtoji kësaj kostoje edhe mjekimin dhe trajtimin, është një kosto e jashtëzakonshme që po paguajnë qytetarët shqiptarë, në fakt për mungesë të aftësive menaxhuese”.
Sipas Jakaj, situata me sistemin shëndetësor po vazhdon rënien e lirë.



